Si të kontrolloni statistikat e faqes web
Hyrje
Statistikat e website-it na japin informacion mbi mënyrën se si vizitorët ndërveprojnë me faqen. Aty përfshihen të dhëna si numri total i vizitorëve, kohëzgjatja e qëndrimit, si erdhën tek faqja, etj.
Nëpërmjet informacionit të marrë nga statistikat, mund të kuptohet më mirë sjellja e përdoruesit dhe si rrjedhojë, krijohen edhe planet e marketingut. Këto të dhëna tregojnë ecurinë e website-it dhe nëse po përmbush synimet që i janë vënë. Gjithashtu, prej tyre kuptohet edhe ndikimi i planeve të marketingut.
Statistika të rëndësishme
- Numri total i vizitave: Numri i vizitorëve, në një hark kohor të caktuar.
- Kohëzgjatja e vizitës: Koha që shpenzon një vizitor në një faqe.
- Bounce rate: Përqindja e vizitorëve që hyjnë në website dhe largohen pa vizituar faqe tjetër në brendësi të saj.
- Norma e largimit nga një faqe: Përqindja e vizitorëve, të cilat janë larguar nga një faqe e caktuar.
- Burimet e trafikut: Burimet që janë përdorur nga vizitorët për të hyrë në website.
- Faqe më të vizituara: Faqet me më shumë trafik.
- Fjalët kyçe: Fjalët kyçe që janë përdorur për të gjetur faqen.
Gjithashtu, aktiviteti i faqes mund të kontrollohet në mënyrë manuale. Popullariteti i një website-i mund të kuptohet mirë edhe nga numri i komenteve nën artikuj, pëlqimet dhe shpërndarjet në media sociale, të abonuarit në të, apo listat me adresat e email-eve.
Analizimi i statistikave të website-it
Interpretimi dhe kuptimi saktë i aktivitetit të vizitorëve në një faqe web janë ato që kanë më shumë rëndësi. Web analytics është procesi i analizimit të këtyre të dhënave për të qenë në gjendje të llogarisim trafikun dhe trendin e faqes.
Trendi i një statistike të caktuar është më i rëndësishëm se numri në vetvete. Në statistika si numri total i vizitave, nevojitet të shihet nëse ky numër është në rritje ose jo. Nëse numri i vizitave është rritur, kjo do të thotë se gjërat po shkojnë mirë. Në të kundërt, nëse numri po bie, do të thotë se duhet bëhen ndyshime.
Analiza e trendeve tregon nëse janë duke u arritur qëllimet e marketingut apo biznesit. Me analizën e trendeve, mund të dallohet një pattern, të interpretohet dhe më pas të mund të optimizojmë strategjinë e marketingut.
Gjithashtu, është e rëndësishme të mbahet parasysh periudha kohore në të cilën po analizohet një trend, pasi bizneset kanë tendencën të kenë ulje-ngritje në varësi të periudhës.
Kur kontrollohen statistika si bounce rate ose exit rate, duhet të mbahet parasysh konteksti në të cilin ndodhen. Në përgjithësi, bounce rate duhet të jetë sa më i vogël, por në varësi të qëllimit të website-it, nuk është gjithmonë shenjë negative. Një përdorues mund ta gjejë atë që po kërkon në faqen e parë që viziton dhe largohet menjëhere. Edhe pse ky rast do të regjistrohet si një bounce, vizitori e gjeti atë që po kërkonte dhe website-i e përmbushi qëllimin e tij.
Duhet të dihet gjithashtu se këto statistika nuk janë 100% të sakta. Ekzistojnë programe robotike, të cilët hyjnë në website për të marrë të dhëna dhe aktiviteti i këtyre robotëve mund të sjellë një mbivlerësim të trafikut. Prandaj numrat e statistikave nuk përfaqësojnë gjithmonë vizitat reale në faqen web.
Këto statistika përdoren për të matur performancën e website-it në mënyrë relative. Pasaktësi si këto nuk bëhen pengesë për të kuptuar aktivitetin e faqes dhe sjelljen e përdoruesëve në përgjithësi.
Pse duhen përdorur platformat analitike?
Analizimi i statistikave të website-ve bëhet më i lehtë me përdorimin e platformave të duhura. Këto platforma mbledhin të gjithë informacionin dhe e shfaqin atë në një mënyrë të lehtë për t'u kuptuar.
Ka shumë platforma falas ose me pagesë. Mund të përdoren dy platforma të ndryshme për të patur statistika më të sakta, ose nëse një nga platformat ofron një funksionalitet që tjetra nuk e ka.
Nuk ka vlerë të përdoren më shumë se dy plaftorma në të njëjtën kohë, pasi nuk do të ofrojnë diçka shtesë që nuk e ofron tashmë një nga platformat që kemi.
Programet analitike
Programet analitike mund të grupohen në këtë mënyrë:
a. Web log analyzers (server side)
Këto programe përpunojnë të dhënat nga log file dhe regjistrojnë të gjitha kërkesat e bëra drejt serverit.
AWStats
Analizon të gjitha të dhënat e log file dhe i paraqet ato grafikisht. AWStats shfaq të detajuar të gjithë aktivitetin e faqes web, duke përfshirë numrin e vizitorëve, kohëzgjatjen e qëndrimit, fjalët kyçe, etj. Gjithashtu specifikon se sa nga këto vizita janë robotë.
b. Script based analyzers (client-side)
Këto programe regjistrojnë të dhëna që vijnë nga faqet me një kod gjurmues në JavaScript, por vetëm nëse përdoruesi ka lejuar cookies në browser-in e tij.
Google Analytics
Google Analytics është një nga programet analitike më të përhapur. Është i lehtë në përdorim dhe ofron të gjitha shërbimet bazë. Tregon se si vizitorët e gjetën faqen web dhe të gjithë ndërveprimet e tyre me të.
Programe të palës së tretë
Ka një gamë të gjerë programesh për statistikat e web, të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme dhe që mund t'iu përshtaten kërkesave tuaja.
Përfundim
Duhet t'i kushtohet vëmendje sjelljes së përdoruesve në website dhe mënyrës se si ata ndërveprojnë me të. Me anë të statistikave merret i gjithë informacionin që nevojitet dhe bazuar mbi të, mund të përmirësoni faqen dhe ta bëni më të vlefshme për biznesin tuaj.
Disa nga statistikat më të rëndësishme janë numri i vizitorëve, burimi i trafikut, faqet më të vizituara, bounce rate, exit rate, kohëzgjatja e vizitës dhe fjalët kyçe.
Është e nevojshme që këto statistika të analizohen në mënyrë të saktë për të përcaktuar nëse website-i po i përmbush qëllimet e vendosura. Gjithashtu është e rëndësishme që analiza të jetë e hollësishme dhe të merret parasysh konteksti i statistikave.
Mund të gjenden programe analitike mjaft të mira, me ose pa pagesë. Ato përpunojnë të gjithë informacionin e marrë nga statistikat.