Jeta si junior developer tek Ketri Web
Intervistë me kolegen më të re, Xhovanën
Ketri Web i kushton një rëndësi të veçantë përparimit të punonjësve të rinj në kompani. Përmes trajnimit dhe bashkëpunimit, punonjësit tanë zhvillojnë aftësi të reja dhe të dobishme në profesionin e tyre.
Për të zbuluar më shumë rreth punës tek Ketri Web, lexoni intervistën me kolegen më të re Xhovanën, e cila ka vetëm pak muaj që është bërë pjesë e kompanisë në rolin e junior full-stack developer.
Si u njohe me Ketri Web dhe përse vendose të aplikoje për këtë pozicion pune tek ne?
Me Ketri Web u njoha përmes website-it. Isha në kërkim të një pune si web developer dhe një ndër vendet vakante që më doli nga kërkimi në Google ishte pikërisht pozicioni i punës që kam sot. Si kompani, Ketri Web më ofronte mua dy nga kërkesat që kisha, të punësohesha pa eksperiencë pune në këtë fushë, dhe të mësoja të gjitha proceset e zhvillimit të një aplikacioni web. Këto ishin dy karakteristikat kryesore që më bënë të aplikoja.
Si ishte procesi i punësimit tek Ketri Web për ty?
Procesi i punësimit ishte shumë komod, sidomos për mua që nuk ndodhesha në Tiranë gjatë kohës së aplikimit. Kompania ma bëri shumë të lehtë, duke realizuar disa nga fazat e procesit të punësimit në distancë. Që të fitoja në mënyrë definitive pozicionin e punës, duhej të zhvilloja një periudhë 3 mujore trajnimi. Edhe kjo fazë ishte mjaft e frytshme për të zhvilluar edhe më tej njohuritë e mia në programim.
Na përshkruaj ditën e parë të punës tek Ketri Web.
Dita e parë filloi me mikpritjen e të gjithë stafit. Më pas vijoi me prezantimin e ambienteve të kompanisë dhe funksionaliteteve të saj në mënyrë më të hollësishme. Gjithashtu, më është bërë prezantim më i detajuar i deyrave që do të mbulonte pozicioni im i punës dhe mënyrave se si do të zhvilloheshin ato. Në fund kam shkruar një review mbi website-in e Ketri Web.
A kishte diçka të veçantë që të bëri përshtypje për kompaninë?
Që në fillim, ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte liria për të ndërhyrë me idetë e mia në projekte të ndyshme, pavarësisht se kam filluar me zero eksperiencë pune në fushën e programimit. Në fakt prisja të më jepeshin detyra dhe un t'i zbatoja duke qënë se isha e re, por për çdo projekt mbi të cilin kam punuar, më është kërkuar dhe më janë vlerësuar mendimet apo sugjerimet e mia.
Çfarë mbështetje profesionale ke marrë gjatë këtyre muajve?
Duke qënë se jam një junior developer, e kam patur shumë të nevojshme mbështetjen profesionale nga ana e kolegëve më me shumë eksperiencë se unë. Gjithmonë më kanë orientuar drejt mënyrave më të mira për të zgjidhur probleme të ndyshme që unë mund të kisha gjatë kodimit. Edhe vetë drejtuesit e Ketri Web janë në rolin e mentorit. Ata organizojnë thuajse çdo ditë mbledhje për të ndarë eksperiencën e tyre profesionale, e duke më ndihmuar hap pas hapi në çdo projekt, në mënyrë që unë të kem përmirësim të vazhdueshëm në këtë fushë.
Cilat janë disa nga aftësitë profesionale që ke zhvilluar gjatë punës tek Ketri Web?
Gjatë periudhës 4 mujore tek Ketri Web kam marrë shumë njohuri nga ana profesionale. Kam përmirësim të aftësive te mia në të gjitha teknologjitë që përdor kompania për të ndërtuar aplikacione web. Teknologji të tilla si HTML, CSS, PHP dhe JS. Tani shkruaj kode më qartë, më shpejt dhe mbi të gjitha me kualitet më të lartë.
Përveç rritjes se njohurive në këto gjuhë programimi kam fituar edhe aftësi te reja. Mësova se si funksionojnë faqet e internetit nga ana e serverit, të realizuara në sistemin operativ Linux. Tashmë kam njohuri edhe në mjete të manaxhimit të projekteve siç është 'Git', apo programi që përdoret për përkthimin e website-ve 'Poedit'. Gjithashtu, kam fituar njohuri bazike mbi krijimin dhe editimin e imazheve.
Çfarë të pëlqen më shumë nga puna që bën tek Ketri Web?
Të gjitha teknologjitë që përdor unë si programuese. Çfarë kanë të bukur që më pëlqejnë aq shumë? Çdo ditë pune që bëj mësoj diçka të re, sa më shumë mësoj, aq më shumë zgjeroj horizontin mbi këtë fushë. Nga ana tjetër, më pëlqen t'i krijoj gjërat hap pas hapi dhe të di brendësinë e çdo faqeje të krijuar. Mund të them se është ndjesi shumë e bukur të kesh kontroll të plotë mbi atë çfarë ti po krijon. Gjatë kohës që punoj mbi një projekt, përfshihem aq shumë sa nuk e kuptoj që kanë kaluar plot tetë orë.
Çfarë raporti ke me kolegët dhe çfarë mendon për kulturën e kompanisë?
Energjia brenda Ketri Web është shumë pozitive dhe miqësore, këtë e kam ndjerë që ditën e parë. Raporti mes kolegëve është po ashtu miqësor dhe mbi të gjitha shumë motivues. Ndihma për njeri-tjetrin nuk mungon asnjë moment, në çfarëdolloj situate. Vetë kultura e kompanisë karakterizohet nga punonjës të përkushtuar në detyrat e tyre, dhe me një nivel të lartë bashkëpunimi.
Cili ka qënë aktiviteti më i bukur argëtues jashtë zyrave, për ty deri tani?
Duke qënë një tip sportiv, si aktivitet më të bukur jashtë ambienteve të punës do veçoja lojrat sportive. Megjithatë, nuk mbeten prapa as drekat me te gjithë kolegët (herën e fundit kemi qeshur pa fund). Për mua aktivitetet jashtë zyrave janë gjithmonë konstruktive, pavarësisht se ku shkojmë.
Çfarë do i thoje një kandidati të ri që ka dëshirë të jetë pjesë e Ketri Web?
Nësë je në kërkim të një pune që të mëson çdo gjë mbi profesionin tënd, një pune që të motivon të zhvillosh aftësi të reja shumë të vlefshme në karrierën tënde dhe një ambient miqësor ku komunikimi dhe mirëkuptimi nuk mungojnë, atëherë ke gjetur vendin e duhur. Do të thoja të mos hezitosh dhe të motivoj të aplikosh, që të vërtetosh çdo fjalë timen.
Dëshiron të bëhesh pjesë e ekipit të Ketri Web?
Jemi gjithmonë në kërkim të kolegëve të rinj! Për t’u informuar mbi pozicionet që Ketri Web ofron momentalisht, mund të vizitosh faqen tonë të karrierës dhe të aplikosh në pozicionin e dëshiruar.