Përfitimet e përdorimit të Linux për biznesin tuaj
Çfarë është Linux?
Linux është një sistem operativ, ashtu si Windows dhe MacOS, i cili përdoret nga biznese, organizata dhe individë për të kryer një sërë detyrash, të cilat variojnë nga shkencore deri tek zbavitëse. Pjesa më e madhe e Internetit punon nëpërmjet Linux, ashtu si edhe të gjithë 500 kompjuterët më të fuqishëm në botë, në momentin e shkrimit të këtij artikulli.
Me shumë mundësi edhe ju e keni përdorur Linux, pasi gjen përdorim në shumë pajisje, por ndoshta më së shumti në formën e Android, i cili është një variant i Linux.
Për shkak të mundësive dhe shumëllojshmërisë së programeve që ofron, Linux është një zgjedhje e preferuar nga profesionistët që duan të përqëndrohen në punën e tyre, pa harxhuar shumë kohë me manaxhimin e kompjuterit.
Avantazhe me interes të veçantë për bizneset
Në kontekstin e sipërmarrjes, Linux ofron avantazhe të konsiderueshme në krahasim me sisteme të tjera operative. Këto janë avantazhet kryesore të përdorimit të Linux për bizneset:
Kosto e ulët
Linux është i licensuar si free software, pra software që mund të përdoret lirshëm nga kushdo, dhe si i tillë nuk i nënshtrohet licencave kufizuese që kanë sistemet e tjera operative. Për më tepër, shumica dërrmuese e varianteve të Linux dhe e programeve të disponueshëm për to janë falas, kështu që mund të përdorni të gjithë këtë ekosistem pa u shqetësuar për përgjegjësi ligjore dhe pa patur nevojë të paguani.
Software repositories
Programet në Linux janë të organizuara në repositories apo “depo”, në të cilat ruhen versione zyrtare dhe të kontrolluara për pothuajse çdo program. Komuniteti i Linux i mirëmban këto depo dhe garanton që programet që shkarkohen nga to janë të përditësuara dhe të sigurta.
Kjo formë organizimi kursen shumë kohë për përdoruesit e Linux. Për të gjetur dhe shkarkuar një program, thjesht kërkoni emrin e tij brenda depos. Nuk ka nevojë ta kërkoni nëpër faqe Interneti, të verifikoni që është versioni më i fundit, ta skanoni për viruse, etj. Për më tepër, me një klik të vetëm mund të përditësoni të gjithë programet në kompjuterin tuaj!
Ofron siguri dhe privatësi
Është e pritshme që Linux të ofrojë veçori sigurie të avancuara, duke qenë se fuqizon pjesën më të madhe të Internetit. Arkitektura e tij multi-user, ndihmon në segmentimin dhe kufizimin e veprimeve të secilit përdorues. Në këtë mënyrë, një përdorues nuk mund të shikojë, modifikojë apo dëmtojë asgjë përveç skedarëve të tij. Gjithashtu, është shumë më pak i cënueshëm nga viruset dhe malware, në krahasim me sistemet e tjera operative.
Ka performancë të lartë
Linux dhe ekosistemi i tij i programeve përbëjnë një mjedis të integruar, të qëndrueshëm dhe me performancë të lartë. Ai funksionon pa probleme edhe në paisje të vjetra, gjë që ul nevojën për rinovimin e tyre, duke kursyer edhe kostot.
Lehtësi në përdorim dhe shumëllojshmëri
Ekziston një koncept i gabuar se Linux është vetëm për përdorues të avancuar. Kjo mund të ketë qenë disi e vërtetë vite më parë, por sot Linux është njësoj i lehtë në përdorim me sistemet e tjera operative.
Ai mundëson përzgjedhjen e një prej disa mjediseve grafike, dhe programe që ju lejojnë të përdorni kompjuterin si workstation, qendër mediatike, PC lojrash, etj.
Çfarë duhet të keni parasysh përpara se të kaloni në Linux
- Sigurohuni që programet që ju nevojiten kanë version për Linux.
- Drivers për pajisjet më të fundit mund të vonojnë.
- Bëni disa hulumtime në lidhje me nivelin e njohurive teknike që kërkohen.
- Keni mundësi ta provoni nëpërmjet një live distribution, përpara se ta instaloni.
Përfundime
Linux është në shumë mënyra një sistem operativ superior, që ndihmon në rritjen e produktivitetit tuaj, njëkohësisht duke qenë falas. Nëse jeni në kërkim të një platforme të qëndrueshme, të besueshme dhe të sigurt, mbi të cilën të bazoni funksionimin e përditshëm të biznesit tuaj, Linux është një zgjedhje e shkëlqyer.
Nëse dëshironi ta provoni para se të vendosni, shumica e variantëve të Linux ofrojnë atë çfarë quhet live distribution, e cila është një mënyrë për ta provuar sistemin operativ me funksionalitetin e tij të plotë, qoftë nga një CD/DVD ose USB flash drive, pa bërë ndryshime në sistemin tuaj aktual.
Disa nga variantet më të përdorur të Linux: